E nxehtë, sensuale dhe tepër e aftë, është kjo sexsimboli që këtë verë po pushton faqet e para të gazetave. Ilda Bejleri mesa duket ka arritur majat, edhe pse modestisht rrëfen se “vetëm kam punuar”.
Nuk i pëlqen të jetë në qendër të mediave, pasi është mësuar që të jetë ajo që drejton pyetjet, por këtë herë ajo i është përgjigjur interesit të “Bluetooth”.
Për herë të parë ajo flet publikisht rreth historisë me futbollistin e mirënjohur Shaqiri. Detajet e darkës, ku Xherdani pranoi të rrëfej në shqip jetën e tij. Krejt e hapur dhe pa komplekse flet dhe për koleget, duke na thënë se nuk sheh rivale në atë çfarë bën. “Nuk e kam parë asnjëherë si një konkurrencë”, shprehet gazetarja seksi.
Si e ka gjetur kjo verë Ildën?
Ka qenë një stinë shumë intensive për mua, ndoshta ngaqë ka nisur edhe pak herët. Reklama e re e “Super Sportit”, “Digitalb”, u bë ditët e para të sezonit të
plazhit dhe duket sikur ka startuar prej shumë kohësh. E kam shijuar në maksimum verën, ndoshta edhe për faktin se prej katër vitesh nuk pushoja në jug të Shqipërisë, sepse përgjithësisht i kam bërë jashtë pushimet. Nuk kam bërë vetëm plazh, por kam kaluar kohë edhe me miqtë, mes bisedave të ngrohta dhe thashethemeve.
Sa i ngjeshur ka qenë sezoni për ju?
Ka qenë goxha i ngarkuar në fakt. Ndoshta edhe për faktin se unë punoja përgjatë fundjavave në dimër, teksa të tjerët pushonin. Ndaj dhe mezi po e prisja verën. Vit për vit përsëritet e njëjta situatë.
Si i keni marrëdhëniet me sportin jashtë kamerave?
Janë të njëjtat marrëdhëniet në fakt, si jashtë, ashtu edhe në kamera gjithashtu. Ata të ftuar që kam në emision, janë edhe miqtë e mi jashtë. Kam shkuar shumë herë në stadium për të parë ndeshje të ndryshme. Madje, edhe gjatë kohës që isha me pushime, në momentin që kishte ndeshje, unë ulesha në lokal dhe përqendrohesha te loja.
Mendoni se femrat në Shqipëri njohin futbollistët dhe jo futbollin?
Kam përshtypjen se femrat këtu njohin më shumë futbollistin dhe më pas e lidhin me emrin e skuadrës ku ai luan. Nëse futbollisti është simpatik, atëherë femrat bëhen tifoze te klubit ku ai luan. Vetë futbollistët bëhen simpatikë, duke qenë se merren për një kohë shumë të gjatë me sport. Dua të theksoj që kjo gjë e ka bërë më të bukur sportin, sepse nuk duhet të ketë vetëm sport, por duhet edhe kjo pjesa tjetër.
Të gjithë po flasin për ju, çfarë keni bërë këtë verë që keni fituar vëmendjen e të gjithëve?
Kam punuar këtë verë, kam punuar më fort mesa duket. Kam bërë emisione, si dhe një intervistë ekskluzive me Xherdan Shaqirin. Fakti që intervista u zhvillua në ambientet e Interit, ku takova Podolskin, Mançinin dhe munda t’i bëja edhe atij një intervistë, ndoshta bëri edhe më shumë bujë. Aty e ndjen veten me të vërtet gazetare, ku ti përfaqëson televizionin tënd, logon tënde si dhe spotin. Të gjithë fajin rroba banjat e kuqe e kanë. Mendoj se kjo është gjë e mirë, sepse përveç si një gazetare e aftë, ke mundësi të vish edhe si një femër seksi.
Ka rivale Ilda?
Jo, nuk kam rivale, e them me siguri këtë. Këdo që të kem përballë, njerëzit më pëlqejnë për atë që jam si dhe për aftësitë. Kam vite që merrem me sport, daton që në 2006 prezenca ime në ekran. Kam kaluar në disa etapa dhe tashmë jam në momentin tim, që po e shijoj profesionin.
A po “eklipson” Ilda motrat Vjollca, sidomos Marinën, që gjithashtu ka një emision sportiv?
Jo, unë i kam mikesha, por pozicioni im me të tyren nuk ka shumë lidhje. Edhe Marina bën sport, por bën edhe muzikë, edhe produkte të ndryshme. Unë kam mbaruar gazetari dhe kam një emision timin, që është pak më i profilizuar, ndërsa tek “Procesi” është Marina dhe Manushi. Unë nuk kam parë asnjëherë konkurrencë mes meje dhe motrave Vjollca.
Keni hasur me njerëz që të shikojnë vëngër në ambientet e punës?
Ndoshta edhe ka, por përballë askush s’më ka parë vëngër. Kam përshtypjen se kjo është diçka që ka ekzistuar dhe gjithmonë do të jetë prezente në ambientet e punës.
Intimidohet Ilda, kur ju duhet të dilni nga roli juaj si gazetare dhe të shndërroheni në imazhin seksi të spotit?
Jo, fare dhe e them me shumë bindje këtë. Gjithmonë kam arritur ta mbaj kufirin, ndoshta për faktin që unë gjithmonë kam qenë mjaft e lirshme. Kur bëj gazetari, bëj gazetari, më pas jam tip i çlirët, pak a shumë si jam edhe në spot. Janë të tjerë ata që kujdesen për imazhin tim, ndaj kisha besim se do të dilte diçka elegante dhe fine.
A identifikoheni tashmë me spotin sensual që keni realizuar?
Pa diskutim, madje ka edhe batuta. Për shembull kam dëgjuar nga ata që më thonë, kam kaluar në Premium, por s’kam parë asgjë dhe këtu e kanë fjalën për mua. Ose ka pasur nga ata persona që nuk e kuptonin se reklama kishte në thelb ofertën, me zbritjen 54 mijë lekë, thjesht fokusoheshin tek unë përgjatë spotit.
Si i keni marrëdhëniet me meshkujt?
Kam pasur gjithnjë shumë marrëdhënie të mira me meshkujt në fakt. Pjesa më e madhe e miqve të ngushtë ka qenë përherë gjinia mashkullore.
Po me futbollistët si i keni marrëdhëniet?
Patjetër që i kam shumë të mira. Takohemi shpesh për kafe, apo në stadium kur unë shkoj për të parë ndeshjet. Sportistët kanë edhe regjim të tillë, që nuk ia lejon të frekuentojnë shumë lokalet, apo jetën e natës.
Pak kohë më parë, me heshtjen tuaj, u duk se konfirmuat një flirt mes jush dhe Xherdan Shaqirit, sa e vërtetë është kjo?
E vërteta është se unë kam zgjedhur të mos prononcohem kurrë më parë në media për këtë fakt. E gjitha ajo çfarë ka ndodhur ishte një intervistë dhe një darkë që ne kemi ngrënë në Milano. Këto thashetheme dolën pasi intervista u realizua në mënyrë perfekte dhe të gjithë merreshin me pjesën sesi ai mund të më ketë parë përgjatë darkës.
Jashtë intervistës, a ju ngacmoi Shaqiri?
Impakti ishte mjaft pozitiv. Diskutimi mori një rrjedhë shumë intim, ndoshta edhe për shkak të pyetjeve. Unë me Xherdanin jemi miq, ndoshta kjo ishte arsyeja që i tha ‘po’ intervistës.
Kur e keni njohur për herë të parë Xherdanin?
Për herë të parë e kam takuar në aeroportin e Londrës, ku ai luante me Bajern Mynihun. Ka qenë finalja mes Bajern Mynih dhe Borusia Dortmundit dhe ishte një rastësi takimi ynë. Unë gjeta mundësinë dhe i fola shqip, ai po ma ktheu në shqip dhe që aty nisi miqësia jonë.
Si është jeta private e juaj në këto momente?
Është shumë mirë. Jam e mbushur me energji pozitive dhe ndihem e lumtur.
A keni dikë në krah?
Çdo njeri ka ndjenjat e veta në fund të fundit, por përderisa nuk ka asgjë publike, s’ka ende asgjë për të thënë.
Do të kemi ndonjë surprizë nga Ilda në shtator?
Më shumë se me rroba banje nuk mendoj se do të më shihni njëherë. Do rikthehem me “Skedinën”, që është një program mjaft i dashur për shqiptarët. Tashmë ne jemi kthyer në personazhe për publikun tonë. Dhe natyrisht që do të ketë edhe një tjetër spot. Qershia mbi tortë do të jetë pa diskutim Evropiani, ku ne dhe jemi bërë gati që Shqipëria të kualifikohet.
Keni ndonjë premtim për djemtë e Kombëtares, nëse kualifikohen?
Besoj se si unë, ashtu edhe djemtë e kombëtares do të bëjmë maksimumin për të ngritur sa më larg kombëtaren tonë, sidomos në kompeticionin që na pret. /Balkan Web/